Bazat E BIBLËS
Kapitulli 10: Jeta në Krisht
Studimi i Biblës | Lutja | Predikimi | Jeta në Kishë | Thyerja e bukës | Martesa | Miqësia | Pyetje

10.4 Jeta Në Kishë

Deri tani në këtë kapitull kemi folur për përgjegjësitë tona vetjake në frymë. Megjithatë ne kemi një detyrë të takohemi me të tjerët që kanë pjesë në shpresën tonë. Prapë, kjo duhet të jetë diçka që ne dëshirojmë ta bëjmë natyrshëm. Ne kemi treguar se pas pagëzimit ne hyjmë në një udhëtim shkretëtire drejt Mbretërisë. Vetëm natyrshëm do të dëshironim të takoheshim me bashkë-udhëtarë. Ne jetojmë në ditët e fundit përpara ardhjes së Krishtit; për të mposhtur shumë sprova të komplikuara, të cilat na sulmojnë në këto kohë, ne duhet të bashkohemi me ata që janë në të njëjtën pozitë: "pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë...por të nxisim njëri-tjetrin: aq më tepër se e shihni ditën (ardhjen e dytë) që po afrohet" (Heb. 10:25 krah. Mal. 3:16). Besimtarët, pra, duhet të bëjnë çdo përpjekje kontakti me njëri-tjetrin nëpërmjet letrave dhe udhëtimit për të takuar njëri-tjetrin për të bërë së bashku studimin e Biblës, darkën e Zotit dhe veprimtari predikimi.

Secili prej nesh, në mënyrë individuale, është ‘thirrur nga’ bota në shpresën e madhe të Mbretërisë. Fjala ‘shenjt’ do të thotë ‘një person i thirrur dhe mund të thuhet për të gjithë besimtarët e vërtetë dhe jo vetëm për pak besimtarë të shquar të së kaluarës. Fjala greke e përkthyer ‘kishë’ në biblën anglishte, është ‘ecclesia’, që do të thotë ‘një mbledhje e të thirrurve’, d.m.th. besimtarë. Prandaj ‘kisha’ është për një grup besimtarësh dhe jo ndërtesa fizike ku ata mblidhen. Për të shmangur keqkuptimin në përdorimin e këtij termi, kristadelfianët tentojnë t’u referohen ‘kishave’ të tyre si ‘ecclesias’.

Kudo që të ketë një numër besimtarësh në një qytet ose zonë të caktuar, është llogjike që ata gjejnë një vend për t’u takuar rregullisht. Kjo mund të jetë në shtëpinë e një besimtari ose në një sallë me pagesë. Eklesitë e Kristadelfianëve takohen në mbarë botën në vende si qendrat bashkiake, salla konferencash të hoteleve, salla të ndërtuara vetë ose shtëpi private. Qëllimi i një eklesie është të ndërtojë anëtarët e vet nëpërmjet studimit kolektiv të Biblës dhe, gjithashtu, t’i dëshmojnë botës në grup duke ndriçuar dritën e tyre nëpërmjet predikimit. Një orar tipik për një eklesi kristadelfiane mund të jetë diçka e tillë:-

E DIELË 11 para dite Shërbimi i thyerjes së bukës.
  6 mbas dite Veprimtari predikuese në publik
E MËRKURË 8 mbas dite Studim Bible

Eklesia është pjesë e familjes së Perëndisë. Në çdo komunë të lidhur ngushtë, çdo anëtar duhet të jetë i ndjeshëm dhe i dhënë ndaj të tjerëve; Krishti vetë ishte shembulli suprem në këtë. Pavarësisht nga epërsia e tij në frymë, ai veproi si "shërbyesi i të gjithëve", duke larë këmbët dishepujve ndërsa ata debatonin me njëri-tjetrin se kush ishte më i madhi ndërmjet tyre. Jezusi na porosit të ndjekim shembullin e tij në këtë (Gjon 13:14,15; Mat. 20:25-28).

Mësimi që jepet në eklesi duhet të bazohet, pa dyshim mbi Fjalën e Perëndisë. Ata që flasin në publik brenda eklesisë pasqyrojnë, pra, Perëndinë, duke folur nga ana e Tij. Meqenëse Perëndia është mashkull, atëhere vetëm vëllezërit duhet të bëjnë punën e udhëzimit publik nga Fjala e Perëndisë. 1 Kor. 14:34 nuk mund të jetë më haptas: "Gratë tuaja të heshtin në kishë: sepse nuk u lejohet të flasin". 1 Tim. 2:11-15 e gjurmon arsyen për këtë deri në kopshtin e Edenit; meqënëse Eva e mësoi Adamin të bëjë mëkat, gruaja nuk duhet të mësojë burrin tani. Fakti që Perëndia formoi Adamin përpara Evës është shenjë që "koka e gruas është burri" (1 Kor. 11:3), dhe prandaj burri duhet të udhëheqë gruan në frymë dhe jo anasjelltas.

Për shkak të gjithë këtyre gjërave, "gruaja le të mësojë në heshtje me çdo nënshtrim. Nuk e lejoj gruan që të mësojë, as të përdorë pushtet mbi burrin, por të rrijë në heshtje. Në fakt së pari u formua Adami, pastaj Eva. Dhe nuk u gënjye Adami, por gruaja u gënjye dhe ra në shkelje. Megjithatë ajo do të shpëtohet duke (greqisht ‘nëpërmjet’) lindur fëmijë, në qoftë se do të qendrojnë në besim, në dashuri dhe shenjtëri me modesti" (1 Tim. 2:11-15).

Nga kjo është e qartë që Bibla përcakton role të ndara të caktuara për burrat dhe gratë besimtarë. Gratë, duke u urdhëruar në raste të caktuara të "martohen, lindin fëmijë, udhëheqin shtëpinë" (1 Tim. 5:14), tregon se sfera e tyre e prirjes në frymë është ajo e shtëpisë. Prandaj puna publike në eklesi i lihet burrit. Kjo është në dallim të mprehtë me teoritë njerëzore të barazisë seksuale, sipas së cilave gruaja e përkushtuar e karrierës mund të pretendojë barazi me burrin e saj në çdo drejtim, që nga drejtimi i buxhetit të familjes deri te veshja e rrobave pa dallim gjinie. Prodhimi i fëmijve shihet si një pengesë e nevojshme për të ruajtur një farë niveli pjekurie emocionale në një botë krejtësisht materiale dhe egoiste. Besimtarët e vërtetë do t’i shmangen kësaj fryme të kohës, edhe pse, si gjithmonë, drejtpeshimi është i nevojshëm.

Burri nuk duhet të sundojë gruan, por ta dojë atë siç na deshi Krishti neve. (Efe. 5:25).

"Ju burra, jetoni me to sipas diturisë (d.m.th trajtoje gruan me ndjeshmëri, sipas diturisë tënde të Fjalës së Perëndisë), duke e nderuar gruan si një enë më delikate dhe si bashkë trashëgimtare e hirit të jetës" (1 Pjetër 3:7).

Në terma frymërorë pagëzimi në Krisht i bënë burrin dhe gruan të barabartë (Gal. 3:27,28 krah. 1 Kor. 11:11). Megjithatë kjo nuk ndikon në parimin e qartë që ‘burri është koka e gruas’ (1 Kor. 11:3) në çështje praktike dhe shpirtërore, si në familje ashtu edhe në eklesi.

Me qëllim që të demonstrojnë njohjen e këtij parimi, femra besimtare duhet të veshi një mbulesë koke sa herë që një vëlla mëson nga Fjala e Perëndisë. Në praktikë kjo do të thotë që duhet të vishet një kapele ose shami koke në të gjitha mbledhjet e eklesisë. Dallimi në role midis burrit dhe gruas duhet të theksohet nga mënyra se si mbajnë flokët burrat dhe gratë (1 Kor. 11:14,15). "Edhe çdo grua që lutet...kokëzbuluar turpëron kryet e saj (d.m.th. burrin e saj v. 3): sepse është njëlloj sikur të ishte e rruar. Sepse në qoftë se gruaja nuk mbulohet, le t’ia presin flokët: por në qoftë se për gruan është turp të qethet a të rruhet, le të mbulojë kryet...prandaj duhet gruaja të mbulohet, si shenjë që ajo është nën pushtetin e burrit të saj" (1Kor. 11:5,6,10 A.V. mg.).