Bazat E BIBLËS
Kapitulli 10: Jeta në Krisht
Studimi i Biblës | Lutja | Predikimi | Jeta në Kishë | Thyerja e bukës | Martesa | Miqësia | Pyetje

10.2 Lutja

Një tjetër praktikë jetike për t’u zhvilluar është ajo e lutjes. Duke na kujtuar që ka "një ndërmjetës midis Perëndisë dhe njerëzve, njeriu Jezu Krisht; i cili e dha veten si çmim për të gjithë", Pali bën të qartë rezultatin praktik të të kuptuarit të veprës së Krishtit: "Dua, pra, që burrat të luten në çdo vend...pa mëri dhe dyshim" (1 Tim. 2:5-8). "Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona; po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar. Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë dhe të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje" (Heb. 4:15,16).

Duke çmuar vërtetë që Krishti është Kryeprifti ynë personal që ofron lutjet tona fuqishëm te Perëndia, duhet të na frymëzojë ne që të lutemi rregullisht në besim. Megjithatë, lutjet nuk duhet të jenë vetëm një ‘listë dëshirash’ paraqitur Perëndisë; falenderimi për ushqimin përpara ngrënies, për ruajtjen tonë gjatë udhëtimeve, etj. Duhet të përbëjnë një pjesë të rëndësishme të lutjeve tona.

Thjesht paraqitja e problemeve tona para Zotit në lutje duhet të na japë, në vetvete, një ndjesi të madhe paqeje: "Në çdo gjë (asgjë nuk është shumë e vogël për t’u lutur) me anë lutjesh...me falenderim ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie, do të ruajë zemrat dhe mendjet tuaja" (Fil. 4:6,7).

Nëse lutjet tona janë në përputhje me vullnetin e Perëndisë, atyre me siguri do t’u jepet përgjigje (1 Gjon 5:14). Ne mund ta njohim vullnetin e Perëndisë me anë të studimit të Fjalës së Tij, e cila na zbulon Frymën/mendjen e tij. Prandaj studimi ynë i Biblës duhet të na mësojë edhe si të lutemi edhe për çfarë të lutemi, duke i bërë kështu lutjet tona të fuqishme. Prandaj "Nëse ...fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet" (Gjon 15:7).

Ka shumë shembuj të lutjes së rregullt në Shkrim (Ps. 119:164; Dan. 6:10). Mëngjesi dhe mbrëmja, me ca lutje të shkurtra falenderimi gjatë ditës duhet parë si një minimum bazë.